Categories
Art Histori Kulture Personalitete

Pashko Vasa përkujtohet sot në 197 vjetorin e lindjes

U lind në Shkodër, i biri Mhill (Hilë) Gjokë Vasës dhe Drande Gjergjes, e motra do të ishte e ëma e Imzot Luigj Bumçit. Të parët e fisit të tij, nga i ati ishin shpërngulur prej Mirditës dhe ishin zhvendosur në qytet, në atë shtëpi ku sot është shtëpia-muzé e Pashko Vasës.

Pasi kreu mësimet e para në vendlindje, shërbeu si sekretar i konsulatës britanike nga 1842 deri më 1847, ku pati mundësinë të përmirësojë dijet e tij në italishte, frëngjishte, turqishte dhe greqishte. Gjithashtu kishte njohuri në anglishte e serbishte dhe më vonë mësoi edhe arabishten.

Më 1847 vajti në Itali, ku ziente lufta kryengritëse për liri, ku mori pjesë gjallërisht në radhët e forcave kryengritëse italiane. Në Bolonjë u caktua si oficer i Rojës Qytetare. I frymëzuar nga atdhetarët e shquar italianë, si Mazzini, Garibaldi, Gioberti, dhe të vendeve tjera si Mickieviçi etj. Idetë që e ushqyen për këtë qëllim solidar ai i shpreh në dy letra, që i dërgon në qershor dhe korrik 1848, nga Bolonja Nikolo Tomazeut. Në shpalljen e Republikës Venedikase jetëshkurtër, nga Daniele Manin, mori pjesë përkrah popullsisë kryengritëse të atij qyteti që u rrethua nga austriakët në Mestre. Ndërkohë që austriakët hynë me 28 gusht 1849 dhe Pashko Vasa u largua me disa shokë tjerë për në Ankona. Aty austriakët e kapën dhe e detyruan, si shtetas osman, të kthehej në Stamboll.

Më 1850 u punësua pa pagesë në Zyrën e Përkthimit të Sarajit Perandorak. Një vit më pas u emërua me rrogë nëpunës përkthimi në zyrën e shëndetësisë. Në vitin 1856 kaloi në Shkodër si përkthyes në shërbim të administratës lokale (sipas AQSH qe sekretar i Bib Dodë Pashës gjatë viteve 1951-1957), ku me ofiqin e zyrtarit osman shkoi në Cetinë t’i uronte princ Nikollës shërim të shpejtë. Gjatë luftës me Malin e Zi më 1860-61 kreu detyrën e sekretarit dhe përkthyesit të Ahmet Xhevdet Pashës, kur ky u dërgua me misioni të veçantë në viset shqiptare. Më pas punoi për verifikimin e gjendjes së marrëveshjes kufitare dhe në komisionin përkatës. I tërhequr pas inteligjencës së terxhumanit të tij, Xhevdet Pasha e mori me vete në postet drejtuese ku u emërua.

Ndoqi Ahmet Xhevdet Pashën në Bosnie, ku Vasa u bë përkthyes pranë divizionit ushtarak për njëzet muaj. Në tetor të 1863 pasi qe graduar nëpunës i gradës së tretë u kthye në Stamboll ku punoi stazhier për zyrën e korrespondencës me vendet e huaja. Më 1865 për herë të dytë u emërua përkthyes në Sanxhakun e Shkodrës. Më 1866 u dërgua në Halep me postin e zv/drejtorit për çështjet politike, ku do të emërohej drejtor më 1868. Në korrik të atij viti iu akordua grada e dytë e klasit special dhe u caktua me punë si kryesekretar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në shtator të 1869 merr gradën e parë të klasit të dytë dhe emërohet anëtar i Gjykatës Penale dhe Civile te Ministria e Drejtësisë. Më 1875 emërohet anëtar i Zyrës së Krimeve te Gjykata e Apelit dhe po atë vit u emërua kryetar i Komisionit të Reformave në Hercegovinë dhe më tej atë vit anëtar i Komisionit për Mbledhjen e Taksave në Bullgari.

Më 1876 u caktua nëpunës për borxhet tek zyra e zv/valiut të vilajetit të Manastirit dhe në gusht të 1877 këshilltar i Vilajetit të Kosovës. Më 1878 u emërua komisar i Rodopeve, brenda vitit emërohet anëtar i Këshillit të Shtetit dhe drejtor i zyrës së shtypit dhe botimeve. Në shtator të 1879 u emërua këshilltar i Vilajetit të Edernesë, ku punonte edhe Ismail Qemali.

Më 10 korrik 1883 me titullin vezir, u emërua mytesarrif i Malit të Libanit me qendër në Beirut, post që e mbajti derisa ndërroi jetë më 26 qershor 1892, pak para se t’i mbaronte mandati 10 vjeçar në atë post administrativ. Ritet funebër u kryen në kishën St-Louise des Capucins, në Bejrut dhe u varros në të ashtuquajturat “varrezat e pashallarëve” në kodrinën e Hazmiehut, në periferi e kryeqytetit të sotëm libanez./Wikipedia

error: Content is protected !!