Categories
Art Kulture Personalitete

“Pengu i skenës” dhe jeta e ikonës së skenës dhe ekranit Edi Luarasi

Është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare, aktorja e njohur, Edi Luarasi, ikonë e skenës dhe ekranit.

Edi Luarasi lindi në Tiranë, në vitin 1940. Ajo do të debutonte që në moshë të re. Në vitin 1956, kur ishte 16 vjeçe, së bashku me të motrën këndonin në skenën e Teatrit të Estradës. Spektatori duartrokiste “Motrat Mirdita”.

U diplomua për aktrim, në 1963 dhe emërohet aktore në Teatrin Popullor. Roli i parë i saj ishte Veram në dramën “Shtëpia në bulevard”, më 1963m me regjisor Kujtim Spahivoglin.

Mandej vijnë një seri rolesh të spikatura, ku veçojmë Lenën te “Doktor Aleksi”, Kordelja në “Mbreti Lir”, Cuca në “Cuca e maleve”, Kristina te “Fytyra e dytë”, etj. Martohet me regjisorin e mirënjohur, Mihal Luarasi. Përjashtohet nga Teatri Kombëtar në 22 janar 1974, për arsye politike. Rikthehet në skenë në mars 1991, me interpretimin dinjitoz.

Në vitin 1995 interpreton në dramën “Hekurat”, më vonë, me sukses në dramat “Cilindri”, “Streha e të harruarve”, etj. Ka interpretuar pak role në filmin artistik. Është “Artiste e merituar”. Në këto role si dhe në tre filmat ku luajti, “Vitet e para”, “Gjurmët”, dhe “Ngadhnjim mbi vdekjen”.

Ajo shquhej për temperamentin e fuqishëm dhe shpirtin rebel.

Reagime

Pas lajmit të hidhur ka reaguar shkrimtarja Elvira Dones, që shkruan:

“Nga një postim i djalit të saj Eldonit sapo mësova se Edi Luarasi ka ndërruar jetë. Nuk ishte thjesht një aktore e shkëlqyer. Mbi të gjitha ajo ishte një partnere e shkëlqyeshme e jetës dhe një nënë e mrekullueshme për Lean dhe Eldonin“.

Po ashtu, një reagim ka ardhur edhe nga profesori Përparim Kabo, i cili shkruan:

“Një lajm i trishtë, u fik Edi Luarasi…pushoi zemra e një gruaje fisnike, e një mirditoreje trime që i beri ballë diktaturës duke mbajtur familjen dhe nderin e saj… Artistja sfidante e “Njollave te Murme”… ajo që u përndoq nga teatri dhe punoi si rrobaqepëse, por u rikthye me “Kthimin e Damës Plakë”… Arti ynë kombëtar humbet kështu një figurë të spikatur, pyllit të mirësisë ju rrëzua edhe një dru i bukur njerëzor… Edi e dashur…ishe dhe do mbetesh model, ike dhe na le një brengë të madhe… Nga sot qielli do ketë më shumë art, më shumë dinjitet dhe më shumë dritë… Lamtumirë, fisnike…

Panetoni të pret, Mihali të pret… pkabo 3 dhjetor 2021”.

Gjurmë në karrierë…

Suksesi i dyfishtë në “Njolla të murme”

Ndër kulmet e saj si aktore, përmendim rolin e Leas në dramën “Njolla të murme” (1969) të Minush Jeros, me regji të Mihallaq Luarasit, dhënë me rastin е Festivalit të Katërt Kombëtar të teatrove të dramës nga trupa “А. Z Çajupi” e Korçës. Ishte koha kur Shqipëria po shfaqte shenja liberalizimi në arte. Ishte koha kur arti lulëzonte. Në këtë Festival, juria qendrore, për regjinë i jep Medaljen е Festivalit të shkallës të раrë, regjisorit Mihal Luarasi, bashkëshortit të Edit, me motivacion: “Për vënien në skenë me nivel të lartë ideo-artistik të pjesës “Njolla të murme”, e së fundi, i akordon ро medaljen e shkallës së раrë aktores Edi Luarasi, рër interpretimin me nivel të lartë ideo-artistik të rolit të Leas. Suksesi qe i madh. Por, pas tri shfaqjesh shumë të suksesshme, kjo dramë, që populli i kishte kushtuar një vëmendje të madhe, cilësohet si një “Njollë e zezë рër аrtin tonë revolucionar e plot partishmëri”…

Prezantuese e dy festivaleve më të rëndësishme në RTSH

Ndërsa dy festivalet e RTSH-së, ai i 10-ti dhe i 11-ti mbeten në historinë e muzikës së lehtë shqiptare, për elegancën, shpërthimin, modernitetin, vizionin evropian, për thirrjen për një jetë ndryshe, për thyerje të barrierave të kohës me të ashtuquajturën “Shfaqje të huaja”. Në të dy këto dy festivale, spikere ishte Edi Luarasi. Ato festivale mbeten për të ndër ditët më të bukura, por dhe ndër ditët kur po përgatitej skema e goditjes ndaj Mihallaqit. Kishte vite që Sigurimi i Shtetit po kërkonte ta dënonte gjoja për prirje liberale. Dhe rasti erdhi në Festivalin e Njëmbëdhjetë. Ai Festival që bëri bujë, që i dha zemër rinisë, që theu tabutë e veshjeve të ngurta, që u bë sinjal për një jetë ndryshe dhe jashtë kornizave të kohës ishte dhe një sinjal ogurzi për Mihallaqin dhe Edin. Edi ishte prezantuese sërish në Festivalin e 11-të, pas atij prezantimi brilant të Festivalit të 10-të.

Burgu i Mihallaqit

Mihallaq Luarasi u gjykua për tendenca të huaja, pikëpamje në kundërshtim me vijën e Partisë. U dënua me 8 vjet burg. U dënua një i pafajshëm, një regjisor i madh, një intelektual i civilizuar dhe me tipare të theksuar europiano-perëndimore. Pas dënimit të Mihallaqit, një goditje tjetër. Drejtuesit e teatrit i afruan si alternativë për të qëndruar në punë, të ndahej nga Mihallaqi… Edi, nuk mendonte kurrë të ndahej nga dashuria e parë, ndaj e pushojnë nga Teatri Kombëtar. U fut në punë në rrobaqepësi. Ishte një punë e re, por e kapi shpejt. Për të marrë gjysmë pensioni i duhej të punonte si hamalle, që të plotësonte 15 vjet punë të vështirë. Një artiste e madhe përfundoi si hamalle, ku ngarkoheshin makinat… Vetëm një muaj mundi të punonte në këtë punë të rëndë. Ishin vite shumë të vështira. Disa miq nuk i flisnin më. Punoi rreth 16 vjet si rrobaqepëse, edhe në shtëpi, përveç punës në shtet. Por edhe pse u dënua 8 vjet, Mihallaqi kreu vetëm 6 vjet burg. Ai u lirua në vitin 1980. Për gati 11 vjet, punoi si bojaxhi.

Viti 1991

51 vjeç, Edi Luarasi rikthehet nё skenë…

Kishte ardhur demokracia. Ishte një moment i vështirë… Në dilemë, të dilte apo jo në skenë. Mendonte sesi mund të luante në teatër, në një rol shumë të vështirë. Punoi dhe e realizoi rolin më së miri. Ishte paksa e vështirë, pas 18 vjet shkëputjeje, megjithatë me kurajo e pasion arriti të fitonte dhe të meritonte duartrokitjet e publikut nё… “Vizita e Damës plakë”! Kishte menduar se kishte humbur publikun, por jo. Ai nuk e kishte harruar… Edhe pse luajti dhe tri role të tjera, këto me shkëputje nga Hungaria, shkëlqimin në “Vizita e Damës plakë” nuk e arriti dot. Ndoshta ajo dramë ishte fundi i skenës së një dive… Te “Vizita e Damës plakë”, Edi shpalosi gjithë talentin e mbetur, duke bërë të pamundurën të arrinte në lartësinë që i kërkonte spektatori kryeqytetas. Ky ishte roli që e lartësoi sërish në demokraci, aktoren e madhe të përjashtuar…

Pengu i skenës

Kadri Roshi i madh, kishte peng të luante një rol për Ali Pashanë. Edit, i mbeti preng që nuk ka mundur të luajë “Pigmaljom”, të Bernard Shout. Bëhet fjalë për një studim të një profesori për një femër të ashpër, me fjalor rruge, të paarsimuar sesi mund dhe a mund të bëhej aristokrate. Për shumë vite, ajo bëhet e tillë dhe arrin sukses. Pas shumë vitesh, bashkë në rrugën e suksesit profesori dhe vajza bien madje edhe në dashuri, por profesori nuk donte ta besonte. Ky skenar është realizuar në film nga e madhja Luiza Dulitëll. Dhe pedagogia e saj ruse, i thoshte: “Duhet patjetër që ta realizosh këtë rol”./Naishtedikur.com/

error: Content is protected !!