Categories
Art Histori Kulture Personalitete

Pietro Marubbi, trashëgimi në fushën e fotografisë mbi 40 mijë negativë në xham

Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” gjatë kohës që ekspozita “Pietro Marubbi dhe fotografët e Periudhës Osmane” po qëndron e hapur për publikun, po vazhdon të prezantojë autorët e ekspozuar. Së fundmi muzeu ka publikuar një material kushtuar Pietro Marubbit. “Pietro Marubbi (Piacenza, Itali 14. 8.1832 – Shkodër, 22. 5.1903).

Në moshën 22 vjeçare, u përfshi në lëvizje patriotike kundër pushtimit austriak duke luftuar për bashkimin e Italisë. Përfshirja e tij në këto lëvizje si dhe në vr asjen e Dukës së Parmës, Karlit III, e detyruan të ikte nga vendlindja. Udhëtimi i tij filloi nga Trieste për të vijuar në Korfuz, Zarë, Budva derisa vjen e vendoset përfundimisht në Shkodër më 1858”, shkruan muzeu. Në materialin e institucionit thuhet se meqë kishte studiuar në Institutin Gazzola në Piacenza, vinte me njëfarë përvoje si arkitekt, piktor e skulptor, e ndër veprat e tij në Shkodër përmenden: projekti për Katedralen Katolike në Shkodër (Kisha e Madhe), projekti i Selisë së Konsullatës italiane dhe franceze si dhe realizimi i disa pikturave murale në Kishën Ortodokse.

“Në Shkodër ka përndritjen e sjelljes së mediumit të fotografisë dhe në 1865 hap studion e parë fotografike Foto-Studio “Marubbi” e para në Shqipërinë Osmane, ndonëse e dimë se kishte filluar të eksperimentonte me këtë medium vite para kësaj date. I gjendur në krye të një aktiviteti premtues, ai merr si ndihmës bijtë e Rrok Kodhelit, Mati e Kel”, shkruan muzeu. Gjatë veprimtarisë së tij si fotograf ka realizuar kartolina me shqiptarë të veshur me kostume të zonave fushore e malore, si dhe portrete kartvizitash në formate të ndryshme. Muzeu vijon më tej në materialin e publikuar se ai ka fotografuar edhe në vendet fqinje si p.sh. familjen mbretërore, por edhe banorë e peizazhe të Malit të Zi. “Teknika e përdorur fillimisht prej tij është ajo e kolodiumit të lëngshëm e më pas e xhelatinës së thatë. Ka lënë si trashëgimi në fushën e fotografisë mbi 40 000 negativë në xham të përmasave të ndryshme”, shkruan muzeu./Diaspora Shqiptare/

error: Content is protected !!