Categories
Art Kulture Personalitete

Po i shkruaj këto rreshta për mikun tim të vjetër, shkrimtarin dhe dramaturgun Fadil Kraja që u nda nga jeta por jo nga ata që e duan me zemër. – Naum Prifti

Me Fadilin nuk u bëmë mbarë të bënim një udhëtim në Veri të Shqipërisë.
Po i shkruaj këto rreshta për mikun tim të vjetër, shkrimtarin dhe dramaturgun Fadil Kraja që u nda nga jeta por jo nga ata që e duan me zemër.

Në verën e vitit 1977, Miço Kallamata dhe unë u takuam me Fadilin në Klubin e Shkrimtarëve të Shkodrës.
Muhabeti na hahej mirë për shumë tema dhe subjekte me interes. Përveçse të një zanati, kishim të ngjashëm filozofinë e jetës dhe humorin që më duket se e kishim pjesë të qenies sonë.
Miço Kallamata i propozoi Fadil Krajës të vinte me ne për një udhëtim në Bizë, Tropojë dhe Vermosh.
Idea na entuziazmoi të treve. Të ulur në tryezë me filxhanet e kafesë përpara, plani u duk i lehtë dhe u miratua me qejf.
Mirëpo praktika vërteton se harmonizimet treshe rrallë jetësohen.

Në mes të gushtit, Miçoja dhe unë shkuam në Shkodër të takonim Fadilin me itinerarin e gjatë për në veri. Asnjë nga ne nuk kishte komunikua me Fadilin që nga viti i kaluar, por besonim se ai i kishte kryer “planet verore” dhe do bëhej bashkëudhëtar me ne. I telefonuam në shtëpi, por nuk na u përgjegj kush. Prej disa shokëve të tij mësuam se Fadili po veronte me familjen ne plazhin e Shëngjinit dhe do kthehej në fund të muajit. Kësisoj plani i shestuar me entuziazëm një vit me pare mbeti aty ku ishte ideuar në një tavolinë në Klubin e Shkrimtarëve.
Shpesh mendoj sesa i këndshëm do kishte qenë ai udhëtim i improvizuar mes tri miqve të mirë.

Në atë rrugëtim, qëmtova shumë mite e legjenda si edhe subjekte për disa tregime të ardhshme. Po çfarë do të shkruante Fadili pas atij udhëtimi? Atë nuk do t’a di kurrë.
Shumë vite më vonë emri i tij dhe emri im ishin pranë njëri tjetrit në një dokument të Feçor Shehut drejtuar Ramiz Alia ku ne kritikoheshim për dramat tona të cilësuara “me gabime ideologjike”.
Fadilin e çmoja për punën e tij krijuese e veçanërisht vërtetësinë që kishin dramat e tij të cilat shkoja t’i shihja me dëshirë në teatrin e Shkodrës.

Fadilin e çmoja edhe si një bashkëbisedues të dijshëm e të këndshëm me të cilin qeshnim të kënaqur nga shakatë e batutat shkodrane.
Dhe pas kaq kohe, çdo kujtim i yni është një udhetimi i paudhëtuar që e shkrinte distancën midis Amerikës dhe Shqipërisë sepse miqtë nuk mund t’i ndajë hapësira.

Natyrisht tani Fadil Kraja nuk mund të jetë larguar shumë sepse ai e ka dhënë veten në veprën e tij madhore dhe Teatri Shqiptar do ta sjellë dramaturgun e dashur e të talentuar sa herë që në skenë të jenë krijimet e tij./Voal/

error: Content is protected !!