OPERA HISTORI – PERSONAZH
Ramiz Kovaçi “Nder i Kombit” (1929 – 1994)
Ramiz Kovaci, baritoni i shumë karaktereve
Ramiz Kovaçin është e vështirë ta përmbledhësh vetëm brenda kostumit të njërit nga personazhet e shumtë që interpretoi. Baritoni i njohur ka dhuruar role të mrekullueshme nga “La Traviata”, tek “Berberi i Seviljes”, nga “Mrika” tek “Rigoletto”.
Baritoni i shquar i skenës shqiptare ka lënë pas një repertor të pasur dhe zëri i tij është shijuar jo vetëm nga ndjekësit e Teatrit të Operas dhe Baletit, por edhe në shumë skena të tjera, brenda dhe jashtë vendit.
Mbetet një ndër baritonët më të mirë dhe zërat më të bukur të lirikës shqiptare, një ndër figurat e mëdha të artit dhe të kulturës sonë.
Me talentin e padiskutueshëm, me zërin e mrekullueshëm, me mjeshtërinë e lartë artistike arriti të realizonte një numër të madh rolesh kryesorë në veprat shqiptare e të huaja, ndër të cilat mund të përmendim: “Skënderbeu”, “Borana”, “Mrika”, “Toka jonë”, “Goca e Kaçanikut”, “Lulja e Kujtimit”, “Pranvera”, “Madama Butterfly”, “La boheme”, “La traviata”, “Rigoletto”, “Pagliacci”, “Peshkatarët e perlave”, “Berberi i Seviljes”, “Carmen”
Për kontributet e tij të jashtëzakonshme ai është vlerësuar me shumë çmime, urdhëra e mirënjohje, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, ndër të cilët: “Urdhri Naim Frashëri Klasit të Parë”, “Artist i Popullit”, “Qytetar i veçantë” i qytetit të Izmirit –Turqi dhe titullin e lartë “Nder i Kombit”
Burimi: Teatri Kombetar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor