Pra disa vitesh reshat Arbana në një intervistë për gazetën Panorama me gazetaren Alma Mile zbuloi momentin kyç të jetës së tij.
Nga mekanik, në aktor, si ndodhi ky kapërcim?
Sebep u bë një shoku im nga Përmeti. Ishte koha për të shkuar ushtarë. Ne ishim të gjatë të dy dhe do na çonin në Marinë plot 48 muaj. Dhe, sa të shkonim ushtarë, më mirë të shkonim në shkollë. Qe ai që më shtyu për në shkollën e aktorëve, edhe pse unë nuk e kisha me dëshirë, sepse isha i ndrojtur. E megjithatë shkova.
Përgatitëm ato materiale që kërkoheshin. Nuk punuam me asnjë aktor. Shkuam me mendjen tonë. Në krye të jurisë ishte Nina Çefranova, udhëheqëse artistike e teatrit dhe regjisore shumë e mirë. Ajo i kërkoi përkthyesit të më thoshte që të improvizoja një moment sikur unë isha drejtor i parkut. Ishim në fund të vitit, plani nuk ishte realizuar dhe duhet të bëja mbledhje me kolektivin dhe duhet t’i mobilizoja…
Unë nuk pranova. Siç duket, mënyra se si unë reagova i pëlqeu. Pas dy ditësh dolën listat e fituesve. Sigurisht unë nuk kisha shpresë, megjithatë e kisha emrin në listë, ndërsa shoku im, jo. Kreva 4 vjet shkollë me pedagogë të shkëlqyer. Si përgjegjës pedagog kisha Kadri Roshin, me të cilin zhvilloja edhe fjalën artistike, edhe mjeshtërinë e aktorit.
Për çudi nuk më çuan në teatër, por në Radio Televizion. Pas 8 vitesh bëra stazhin e partisë në Uzinën Gjeologjike dhe u ktheva sërish në radio. Thanas Nano më komunikoi se do të kaloja në televizion me grupin e regjisorëve. Nuk pranova dhe këmbëngula që të largohesha.
Më në fund shkova në teatër. Po të isha sot, nuk do kisha pranuar, pasi kam përballuar një ngarkesë shumë të madhe. Nga njëra anë role në teatër, role në film, dublime, mbledhje… Një punë e lodhshme, por që më dha një kënaqësi të jashtëzakonshme, që e shoh se nuk u bleka me para.
Alma Mile/Panorama/Naishtedikur.info