Categories
Art Histori Kulture Personalitete

“S’e kam jetën mjaltë blete,/dhe tani në fund kam mbërritur,/ por nuk kam shkruar për vete,/po për ju, o të uritur!”.

“S’e kam jetën mjaltë blete,/dhe tani në fund kam mbërritur,/ por nuk kam shkruar për vete,/po për ju, o të uritur!”.

Kështu shkruante poeti teksa e ndjente fundin pranë, por vazhdonte me vetëmohim të çonte deri në fund misionin e tij. Pas një beteje të gjatë për jetën, u shua poeti Arben Duka. I shtruar në spital prej ditësh, ku edhe priti ditëlindjen e tij të 64-t, më 5 dhjetor, ai mbylli sytë përgjithmonë, por duke lënë pas mijëra vargje poezish e mijëra tekste këngësh që kanë bërë historinë e këngës shqiptare, asokohe kur tekstet ishin krijime të mirëfillta, të mbushura plot ndjenjë e mendim. Duka ishte sa bardi popullor, aq edhe poeti intelektual, duke u bërë një nga autorët më të dashur për lexuesin.

Lajmin e hidhur e bëri të njohur dje në mëngjes miku i tij i ngushtë, gazetari e poeti Aleksandër Çipa, i cili ndau një njoftim nga familja dhe miqtë e Arben Dukës. “Poeti dhe publicisti, polemisti dhe artisti i fjalës, Arben Duka, ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, e martë, 14 dhjetor 2021. Për disa vite me radhë, Arbeni u përball me lëngime dhe vuajtje shëndetësore, por përgjatë më shumë se dy dekadave të shumta ai u lartësua si Njeri me durim dhe optimizëm të pashoq. Arben Duka është një emër i famshëm për publikun shqiptar, për qytetarët e kombit tonë në të gjitha viset, për mediat dhe sidomos shtypin e shkruar shqiptar, më shumë se pesë dekada.

Jeta dhe veprimtaria e tij është shumëplanëshe. Në jetën e vet prej krijuesi ai la mbi 50 libra, ndër të cilat mbi 25 vëllime poetike, të cilat spikasin për pasurinë e tyre në stil, në forcë mendimi, për lirizmin e thellë natyral dhe për ngjyrat e pakrahasueshme stilistike e valencën filozofike te tyre. Ai u njoh për publikun shqiptar si lirik i fuqishëm, klasik i paepur dhe mbi të gjitha si intelektual me kurajën dhe guximin e fjalës vetjake dhe të fuqishme publike. Kontributi i vet në ligjërimin publik spikat për peshën polemizuese, për qëndrimet antitabu, për mëvetësinë dhe sovranitetin vetjak si dhe për rebelizmin antidogmatik dhe antidoktrinar. Poeti dhe publicisti u shqua për forcën e ironisë dhe sarkazmës si dhe për stigmatizimin e dukurive negative të tranzicionit shqiptar si dhe ndaj klasës politike që qeverisi përgjatë rrotacioneve të tri dekadave të fundit.

Arben Duka është pa dyshim poeti më i shquar dhe më kreativ i gjinive dhe zhanreve të këngës shqipe si asaj popullore, polifonike dhe në mënyrë të veçantë, për këngën moderne shqiptare. Ai la një fond prej mbi tre mijë tekstesh të këngëve më të njohura dhe më të suksesshme të kohës së shtrirë në dyzet vitet e fundit, të cilat mbartin çmimet më të suksesshme në festivalet kombëtare dhe ndërkombëtare. Po ashtu, familjarët njoftojnë edhe për detajet e ceremonisë së lamtumirës. Pritjet për ngushëllime bëhen pranë shtëpisë funerale “Univers”, rruga “Bardhyl”, ndërsa homazhet publike do të zhvillohen ditën e sotme nga ora 10:00-12:00 në oborrin e brendshëm të selisë së Prefekturës së Tiranës, në Rrugën e Kavajës. Nisja për në varrezat publike në Sharrë nisin në orën 12:10.

NGUSHËLLIMET

Si një poet që si kult kishte dashurinë për njeriun; opozitar ndaj çdo qeverisjeje, Arben Duka kishte prekur zemrat e mijëra lexuesve e mijëra ndjekësve, që ndanin mes tyre vargjet satirike të Dukës, që ai i krijonte aty për aty dhe shpërndante falas si një ushqim shpirtëror apo si fjalë ngushëlluese për këdo që vuante padrejtësinë. Ishin me mijëra ngushëllimet drejtuar familjarëve; njerëz të njohur e të panjohur; njerëz të penës, kompozitorë, këngëtarë, politikanë… Aurela Gaçe, Elton Deda, Adhurim Demiri, Valentin Veizi, Bujar Leskaj, Petro Koçi e shumë të tjerë shprehën ngushëllimet për humbjen e Arben Dukës. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, i ka dhënë lamtumirën poetit, me disa vargje të shkuara ai vetë, si një epitaf mbi gurin e varrit.

“Të gjitha kurrë s’mund të thuhen,/në pllakë të varrit për njerinë,/ndaj unë kam lënë që të më shkruhen:/ ‘Jetoi dhe vdiq për Dashurinë’! Lamtumirë Arben Duka, që u shkrive deri në fund nga dashuria për njeriun! U prehsh në paqe poet!”, shkruan Margariti.

“Lamtumirë Arben Duka, kënga shqiptare humbi më të mirin lirikun poet, atë që siç e thotë edhe vet: Jetoi dhe vdiq për Dashurinë!. Jam me shumë fat që kam muzikuar vargjet e tua. Ngushëllime familjes për humbjen e poetit të pavdekshëm!”, shkruan kompozitori Valentin Veizi. “Na iku dhe një penë e artë. Lamtumire Ben Duka!”, shkruan kantautori Elton Deda.

POETI

Arben Duka u lind në Labovë të Gjirokastrës. Ka mbaruar Akademinë Ushtarake dhe universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Është autor i mbi pesëdhjetë vëllimeve poetike të botuara e të ribotuara gjer në pesë herë. Është bashkautor në rreth tre mijë këngë të të gjitha zhanreve që prej vitit 1974. Ka dhjetëra çmime si autor dhe bashkautor në gjininë e këngës, ku spikasin shtatë çmime të para në Festivalet Kombëtare të këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Është autor i mijëra e mijëra vargjeve humoristike dhe satirike në shumë gazeta. Arben Duka është “Nderi i Qarkut Gjirokastër”, “Nderi i Lunxhërisë” etj. Disa nga titujt e librave të tij janë: “Nektari i këngëve”; “Një mijë puthje”; “Ç’të bëj me fjalën?”; “Letra dashurie”; “Unë isha një i vetëm”; “Intervistat e Kaso Kosës”; “Vetëm ty të kam”; “Ç’ia thoshte bilbili”; “Rroj se nuk vdes dot”; “Labovë moj Labovë”; “Kristale të thyer”; “Aromë vajze”; “Heroi i dashurisë” etj./Panorama.com.al/

error: Content is protected !!