Categories
Art Histori Kulture Personalitete

Timo Flloko: Ç’më tha Dritëroi kur realizova rolin e Mato Grudës

Çdo tekst i Dritëro Agollit shquhej nga mprehtësia, humori i hollë, gjuha e pasur, gdhendja e karaktereve.

Nga këta të fundit ka të tillë që janë ngulitur thellë në memorien e lexuesit apo shikuesit, kur ai ka marrë mish e gjak prej një aktori. I tillë është edhe Mato Gruda, personazhi kryesor i romanit dhe filmit “Njeriu me top”.

Ishte aktori Timo Flloko, ende i ri në karrierën e tij asokohe, që pati fatin t’i jepte frymë Mato Grudës dhe ta kthente në batutë thënien e tij “Atë e di unë!”. Në librin me kujtime “Ky është Dritëroi im”, aktori Timo Flloko tregon për njohjen me shkrimtarin Dritëro Agolli, autorin e skenarit të filmit “Njeriu me top”, “përpëlitjet” artistike për realizimin e rolit; dëshirën për t’u takuar me të gjatë xhirimeve; takimin me të pas shfaqjes; për të vijuar me miqësinë që lindi dhe shkëmbimin e ideve për letërsinë. Për aktorin, ishte një fat të jetoje në kohën e Dritëro Agollit.

TIMO FLLOKO

TË QUASH VETEN ME FAT, TË KESH JETUAR NË KOHËN E DRITËROIT

Për Dritëro Agollin, fjalët, si për gjithë të mëdhenjtë, thonë pak. Unë kam luajtur dy personazhe, të shkruar nga pena e tij, në fillim të karrierës time dhe në kulmim të saj. E nisa me një djalosh, me shpirt të pasur e plot ëndrra, Martinin te “Mosha e bardhë” dhe pastaj me karakterin tashmë mitik, Mato Grudën.

Dy natyra krejt të ndryshme … dhe u zhyta në thellësitë e tyre plot pasion krijues. Përpara xhirimit të “Njeriu me top”, kërkova ta takoja Dritëronë veçmas për Mato Grudën, por nuk ndodhi… Ishte i zënë dhe unë nuk ngulmova. Dialogoja me të në imagjinatë, me pyetje pambarim, të çuditshme shpesh dhe merrja përgjigje edhe më të habitshme, si në një ëndërr…! Ato dialogë më ndoqën sa herë edhe në ditët e xhirimeve…

Kur munda ta takoj pas filmit dhe i tregova “pengun” tim, Dritëroi më pa një çast e tha me atë zërin e shtruar: “Më mirë që s’u pamë, ndonjëherë aktori gjen te personazhi i shkrimtarit ato që ky nuk i ka menduar dhe del për mirë…

Ne i shkruajmë, ju i ngjallni…”. Ta ketë parë ai Maton me fytyrë e natyrë ndryshe?!”, mendova. Te shprehja proverbiale e Mato Grudës: “Atë e di unë”, gjatë bisedave të mia imagjinare, Dritëroi, si një orakull, ma kishte kthyer përgjigjen: “Atë e di ti!”. Dhe arti i aktorit mbërthehet fort në të vetmen vjegë. Në atë të të bërit, “e di ai” apo s’e di se çfarë duhet të bëjë, i mbetet ta kryejë, ta mishërojë..!

Kisha recituar disa vjersha brilante të Dritëroit, si dhe poemën liriko-epike “Nënë Shqipëri” në televizion, veç këtyre roleve. Por s’kishim pasur rastin ta takoja e të flisnim një herë të vetme. S’ndodhi. Kur u takuam më pas për herë të parë, u përshëndetëm si dy miq të afërt, me ndjesi të mirë e simpati ndaj njëri-tjetrit. E dija nga të tjerë se ai më çmonte si artist dhe ky fakt më gëzonte.

Dritëroi fliste mirë e i përkrahte të rinjtë. Shkoi kohë… Kur erdha nga Amerika, pas disa vitesh larg Shqipërisë, më ndodhi ta takoja në një kafe verore, përpara Galerisë së Arteve, ulur në një tryezë, nën degët e rrapit gjigant, që e prenë më pas. “Dritëroi!”, – thashë, dhe ndjeva furinë e gjakut brenda venave si zjarr…

U afrova dhe e përqafova me mall, si të kishim qenë ndarë para ikjes sime me dhimbje… (?!) Mungesa të qe shkaku, largësia…? Shkëmbyem fjalë. Për ta ushqyer bisedën, i them: “Kam një raki të rrallë, të staxhionuar me vite”.

Dhe vështrova nga Sadija, e cila veçse buzëqeshi, kurse Dritëroi, edhe pse nuk pinte si dikur, me atë mirësi burri që rrezatonte e që rrallëkush e kishte dhe me zërin e ngrohtë e kumbues prej aktori e mbi të gjitha me peshën e fjalëve, më thotë: “Faleminderit!”

Heshti pak e pastaj vijoi: “Sapo mbarova një vjershë nazeqare, por reale për moshën që ikën e na lë dhe plakjen që e vë njeriun poshtë…

E kam titulluar “Çaste ngushëllimi” … dhe e lexoi kryefund. Pastaj shënoi mbi të: “Timos… mikut tim të vjetër”…

Teksa shkruante, dora kishte filluar t’i dridhej pak e të ngathtësohej, por bukurshkrimi binte në sy, një veçori kjo që shkonte kundër me përfytyrimin tim për natyrën e “shkujdesur” të poetit të madh, përtej rregullave e mendësive të së zakonshmes… Përjashtimi fuqizon rregullin e natyrës! U ndamë, me dëshirën për t’u parë shpejt…

Dhe u pamë disa herë, përherë me dëshirë e dashuri njerëzore. (Kurora e bardhë e flokëve të lëshuara e të gjata, që ia hijeshonin pamjen, më sillnin përfytyrimin iluzor, se isha para një perëndie…!) Ato çaste takimi kemi folur shumë për poezinë, poetët e mëdhenj, Pushkinin, Lermontovin, Bodlerin, Edgar Po-në, për artin e përkthimit në poezi, për “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, për satirën e Gogolit dhe ngjashmërinë e humorit therës të Dritëroit me të; për fuqinë e shkrimtarit dhe emocionet e vërteta, për botimet e tij në gjuhë të huaja dhe, sigurisht, për fatet dhe filozofinë e jetës, temë e ndjerë e bisedave të tij. Kam qenë një nga ata fatlumë, që pata fatin ta njoh e të jetoj në një kohë me të. Koha e paktë e miqësisë sime me Dritëroin nuk ka qenë zbrazëti, por një kohë intensivisht e jetuar, në një përmasë më të madhe se kohështrirja… në thellësi.

DRITËROI PËRMES SHKRIMEVE EPISTOLARE

Një tekst i beftë Elona, po mrekullohem nga “Dashuri në moshën e Krishtit..! “Lexova një sërë letrash, dhe, pastaj, në fund, ‘Sekreti i një dashurie jetëgjatë’ dhe mora emocione tronditëse për gjithë sa shprehej aty, me art e bukuri, thellë, që më preku shpirtin..! (Përgëzoje, të lus, Sadijen nga unë).

Lexova ndërkaq dhe esenë e Sh. Sinanit, e cila është një studim serioz, plot larmi dhe elegant, që zbulon endokozmosin e poetit gjeni, botën e papërsëritshme e mahnitëse të tij në hapësitë e shpirtit e më përtej…! Letrat, pastaj, si një album sonatash e sonetesh njëherazi, nëse mund ta them kështu, me aq brishtësi humor e freski, si lojëra e dritëhije mendimesh, sa intime, aq poetike, si kujtesë e art i epërm..!

Zot, e jetova këtë mëngjes me Dritëroin unik! Lexova, po ashtu, librin me poezi, që tingëllon aq i freskët, sa i trishtë, e i përkorë në çdo varg…! Të falënderoj për dhuratën e çmuar! Një pjesë letrash i lashë për t’i shijuar më pas. I kurseva se s’do desha të mbaronin..! Bëra edhe një përzgjedhje poezish nga më mbresëlënëset.

Aforizmat do t’i lexoj kohë tjetër.

Të falënderoj edhe një herë, urimet më të përzemërta…!

Të fala Sadijes dhe të gjithëve, ju përqafoj me dashuri.

Timo

Nëntor, 2018/Panorama.com.al/

error: Content is protected !!