Robert Ndrenika lindi në Tiranë, në 1942. Në vitet 1960-1964 ka studiuar për aktor ne Shkollën e Larte “Aleksander Moisiu”. Nga ky vit, deri më 1970, punon si aktor në Teatrin “Skampa” te Elbasanit. Në vitet 1970-1974 punon si aktor në Teatrin e Institutit të Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve), më pas në Teatrin Kombëtar, deri sa doli në pension. Sot punon si aktor i lirë.
Dramaturgjia kombëtare
Ka qënë ndër aktorët që ka pasur ngarkesën më të madhe në teatër dhe kinematografi. Nga dramaturgjia kombëtare, midis të tjerash, ka interpretuar: “Besa” e Sami Frashërit, “Ura” e Minush Jeros, “Prefekti” i Besim Levonjës, “Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës, “Bashkë me agimin” e Kolë Jakovës, “Midis dy njerëzve” e Kiço Blushit, “Skënderbeu” i Lec Shllakut, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Stinë e mërzitshme në Olimp” të Ismail Kadaresë, “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës, “Fytyra e dytë” dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit, “Shkallët” dhe “Shtëpia me dy porta” të Ruzhdi Pulahës.
Dramaturgjia e huaj
Nga dramaturgjia e huaj mund te përmendim “Shumë zhurme për asgjë”, “Nata e dymbëdhjetë” dhe “Zbutja e kryeneçes” te Shekspirit, “I sëmuri për mend” dhe “Kopraci” të Molierit, “Udha e largët” e Arbuzovit, “Luiza Miler” e Shilerit, “Prometeu” dhe “Njeriu që pa vdekjen me sy” të Viktor Eftimiut, “Dashuri e tillë” e Kohoutit, “Banja” e Majakovskit, “Arturo Ui” e Brehtit, “Vdekja e një komisioneri” e Millerit, “Vizita e damës plake” e Dyrrenmatit, “Magjia e madhe” dhe “Cilindri” të De Filipos, “Darka e të marrëve” e Veberit, “6 vjet shtatzënë” e Cikliropulosit, “Pulëbardha” e Anton Çehovit, “Histori zooparku” e Ollbit, etj.
Vlerësimet & çmimet e artistit Robert Ndrenika “Nderi i Kombit”
Në vitin 1979 i është akorduar titulli “Artist i Merituar”
Në vitin 1988 titulli “Artist i Popullit”
Më 1994 është nderuar me Kupën për Aktorin më të Mirë në Festivalin Kombëtar te Teatrit, për rolin e Di Spetes në shfaqjen “Magjia e Madhe”, te De Filipos
Në Festivalin e Filmit të vitit 1979, është nderuar për rolin e Prefektit në filmin “Koncert në vitin 1936”
Në vitin 2012 nderohet me titullin “Nderi i Kombit”
Presidenti i Republikës i akordoi dt. 22/02/2017 nr. dekreti 10028 zotit Robert Ndrenika Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me motivacionin: “Në vlerësim të artistit të rrallë e të talentuar, i cili me rolet dhe interpretimet e tij të paharrueshme në skenat teatrore dhe në kinematografi, është bërë tashmë, me thjeshtësinë e tij karakteristike të rrallë njerëzore, një nga figurat kryesore e të paçmueshme të artit kombëtar shqiptar”/Naishtedikur.info