Categories
Art Histori Kulture Personalitete

Vlora, fëmijëri dhe rini e parë – Nga Timo Flloko

Vlora, fëmijëri dhe rini e parë

Mbërrita prej së largu, si një alien, nga një botë e natyrë tjetër, në një qytet të dielltë, të ngrohtë e mikpritës pa kufi, por edhe të ashpër e të egër nga natyra e njerëzve. Mbërrita i brishtë, i “sjellshëm”, i ndryshëm nga të gjithë moshatarët e mi, nga vëllai im Aleksandër, i vetmi mik e vëlla, i pari që më krijoi hapësirë e kohë, së bashku me Medinin dhe Jahjanë, shokët më të afërt, që natyrshëm të ambientohesha. Nga dita e parë, d.m.th. nga klasa e tretë deri në maturë… 11 vjet jetë, formova “veten”, përgjatë një trajektoreje nga më të paimagjinueshmet, me dinamikë intensive, me frekuencat, uljet e ngritjet, rëniet e ngjitjet në rrugën e kalimit (si në kapërcyell), nga fëmijëria dhe çuditë e lojërave të saj në adoleshencë, në zgjimin e dëshirave për art, për poezi e vajza.

Nga s’shkova me shokë e s’brodha, nga s’u ngjita e s’u hodha, Qafës së Topit, nga ku Selam Musai qëlloi me top anijet e Italisë së 20-ës, siç thoshin të moçmit, a kur lëshohesha teposhtë Budakut të lugetërve në Tophana… apo kur hidhesha prej majës së Kalasë detit poshtë me krye e jo me këmbë (tani veç kur e shoh nga poshtë më pushton tmerri) dhe si notoja largësisë e zhytesha thellësive për të prekur funddetin, si personazhi i Xhon Steinbekut te Margaritari, për të shkulur pina (guaska të mëdha) kumit (rërës) disa pashë nën ujë. Nuk dyshoj se ato aventura krijuan përvojat e hershme emocionale, pa të cilat s’mund të imagjinohet krijimtaria e aktorit. Duke u rritur dhe duke u larguar nga prapësitë e duke iu afruar librit, leximit, pasionit të të mësuarit të poezive përmendsh e duke provuar si një adhurues naiv artin e të shkruarit – poezi, novelëza, frymëzuar nga leximet, nga Mopasani, Cvajgu, Gogoli…

Si ritual, e ndaja kohën e të shkruarit me kohën e plazhit, të lojës së futbollit në rërë me shokët, me kohën e peshkimit netëve vonë me tim atë. Isha plot ëndrra dhe ndonjëherë, i romantizoja netët me firmamentin plot yje mbi vete, me ëndërrimet rinore si personazh romantik përrallash, me pritjet e sahershme të sirenës që do të dilte nga deti, mbështjellë me luspa peshku… (!) Por, krahas dëshirës për të “fluturuar” (ku e gjej dhe shkakun e dëshirës së atëhershme prej fëmije për t’u bërë pilot… gjë që e kam shprehur në ndonjë intervistë), përsëri, filmi ishte pasioni dominues, sa në pavetëdije aq në pamundësi. Si çdo djalosh, isha i pushtuar çdo çast nga dashuria për muzikën e huaj, atë italiane më tepër se na ndante veç deti në midis, ndiqja hit-paradat, adhuroja Modunjon, Çelentanon, Batistin, Luçio Dalan…

Asokohe, kur s’kishte nisur ashpër lufta ndaj çdo vlere në art apo, më keq akoma, ndalimi i çdo gjëje të kulturës perëndimore, shfaqeshin filma të huaj, sidomos filma francezë me shumicë, me aktorë të mëdhenj, si Zhan Gaben, Zherar Filip, Belmondo, Klaudia Kardinale, Ani Zhirardo etj. Nuk ndodhte të humbisja një film pa e parë, atyre që s’lejoheshin për moshën ua gjenim hilenë, duke kapërcyer murin e duke u futur fshehtazi në kinemanë verore para se të errej dhe dilnim nga poshtë stolave porsa niste filmi. Ato aventura, e jo vetëm, më mbrujtën në mënyrë më serioze një ëndërr, disi të kristalizuar: dhashë dhe fitova konkursin në profilin e artin dramatik për t’u bërë aktor! Rastësia e solli, por ëndrra i dha krahë. 11 vjet në Vlorë, mësova të rritem, të kuptoj, t’u jap formë e trup vizioneve, të notoj e të “fluturoj”, të shijoj bukuritë plot mistere të nënujit, t’i dashuroj njëmend si detin dhe qiellin.

S’mora kum te bova

Vlorës, qytetit të rinisë së hershme

Ndarja me ty, Vlorë, ishte më e hershmja.

Sa ndarje pata… si jotja, rrallë në jetë.

Dashurive të shtira ua mbylla portat,

Me ndarje të tilla ku e ku më lehtë.

Ika prej teje me një valixhe të drunjtë,

Mbushur me ëndrra dhe dëshira-peng,

Një vështrim fajshëm në ikje i hodha,

Orës së qytetit ngelur dymbëdhjetë.

Zemra m’u zbraz, u ndjeva i përzënë,

Më tepër nga vetja, Vlorë, se nga ti.

(Mos po ikja larg udhëve pa kthim,

Prapa diellit ta hasja fatin tim?)

A më përzije se dashuria qe sosur?

Zemra jote me pashë s’matet dot,

Shtatin ma ndoqe me nishane sysh,

Stepja ndaj rrezikut nuk më ra për short.

Sa herë kryet rrokullisa Qafës së Topit,

Mbi humnera, vdekjes pranë i shkova,

Zhytur thellësive, frymën gjatë e mbajta,

Cika fundësitë, s’mora kum te bova.

Ma mbolle fatin si një rrënjë ulliri,

U deha nga deti, nga jod’ i Jonufrit,

Dunave u shtriva netëve plot magji,

Mblodha yje të këputur gushti.

Ngashëreva mbytur agut kur u nisa,

Rrugica e ngushtë shkretane mbeti,

Më tërhiqte pas çdo skërkë e shkelur,

Nga majë e Shashicës në Shesh të Kateqit.

Lehtas m’u çapit pas nëna, loti iu këput,

Kollën e babait e gërreu heshtja,

Më humbi vështrimit mëhalla e fjetur,

Kuiste era, më përcillte vjeshta.

Vura Sazanin në vend të zemrës,

Rrëmbeva blunë e detit dhe të qiellit,

Perëndimet okër të Nestor Jonuzit,

Thellësinë plumb të Skënder Kamberit.

I mora edhe retë ngarkuar me vete,

Lundrën me kujtime, vitet e një jete,

Harruar pastaj rashë në gjumë të thellë,

M’u bë se fjeta mbase njëqind vjet.

Gjithçka ndryshoi, dashuria ime jo!

Rrënjosur thellë meje, Vlorë, a s’e ndien,

Në këtë heshtje burri mallin e patretur,

Kthimin tim aty ku zemrën lashë peng?/Exlibris.al/

error: Content is protected !!