Janë cilësuar si “Zonjat e kinemasë shqiptare” dhe janë pikërisht ato që kanë dhënë kontributin e tyre në filmin shqiptar. Pikërisht për nder të tyre, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka organizuar dje një aktivitet të veçantë në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar. Pas prezantimit të katalogut fotografik kushtuar aktoreve shqiptare është shfaqur edhe një kolazh me rolet në kinematografi të disa prej tyre.
Marie Logoreci
U lind në Shkodër më 23 shtator 1920. Interpretoi shumë role me peshë në teatër dhe në kinematografi, ku shkëlqeu sidomos në rolin e Lokes tek filmi “Toka jonë” i H. Hakanit. Vdiq në Tiranë më 20 qershor 1988. Është nderuar me titullin “Artiste e Popullit”.
Besa Imami
U lind më 8 gusht 1928 në Gjakovë. Aktore e njohur e Teatrit Kombëtar me një sërë rolesh që prej themelimit të tij. Në kinematografi interpretoi gjithashtu në filmin e parë “Skënderbeu”, 1953 në rolin e Donikës dhe disa role të tjerë. Është “Artiste e merituar”.
Esma Agolli
U lind në Tiranë më 1 korrik 1928. Është “Artiste e merituar”. Interpretoi shumë role në skenën e Teatrit Kombëtar që në fillimet e tij si dhe disa role edhe në kinematografi.
Tinka Kurti
Lindi në Sarajevë më 17 dhjetor 1932. “Artiste e popullit”, një nga aktoret më të njohura të skenës dhe ekranit shqiptar. E filloi karrierën artistike si aktore në Teatrin e Shkodrës që në vitin 1949. Në kinematografi u angazhua që në fillimet e saj në filmin e parë shqiptar “Tana”, 1958 në rolin e Tanës.
Marika Kallamata
U lind në Tiranë më 17 nëntor 1930. Ka qenë aktore në Teatrin Kombëtar, ku ka interpretuar shumë role. Është “Artiste e merituar”. Në kinematografi ka interpretuar disa role, duke filluar nga filmi “Fëmijët e saj” në një rol episodik.
Drita Pelingu
U lind më 3 tetor 1926 në Vlorë. Është “Artiste e merituar”. Filloi të interpretojë si aktore profesioniste në Teatrin Kombëtar që në vitin 1946. Ka realizuar një sërë rolesh të rëndësishme në kinematografi, duke filluar nga filmi “Tana”.
Violeta Manushi
U lind në Korçë më 5 mars 1926 dhe u nda nga jeta në korrik 2007. Është nderuar me titullin“Artiste e popullit”. Njihet nga të gjithë si teto Ollga e filmit “Zonja nga qyteti” (1976) dhe “Shoqja nga fshati” (1980).
Roza Anagnosti
U lind në Shkodër më 27 tetor 1943. Është “Artiste e merituar”. Ka sjellë në ekran role të paharruara që kur ishte e re me filmin dokumentar “Ringjallje”, 1961 dhe më pas role, si ai i mësueses tek “Mësonjëtorja” apo plakën Nicë te “Kthimi i ushtrisë së vdekur”.
Mimika Luca
U lind në Gjirokastër më 24 dhjetor 1937. E filloi karrierën artistike fillimisht si balerinë dhe më pas si aktore profesioniste e Teatrit Kombëtar.
Margarita Xhepa
U lind në Lushnjë më 2 prill 1934. “Artiste e popullit”, një nga aktoret më dinjitoze të skenës dhe ekranit është nderuar me një sërë çmimesh kombëtare dhe ndërkombëtare.
Edi Luarasi
U lind në Tiranë më 7 maj 1940. Filloi si aktore profesioniste në Teatrin Kombëtar në vitin 1960. Në kinematografi realizoi disa role ku më i rëndësishmi ishte roli i Afërditës në “Ngadhënjim mbi vdekjen”.
Liza Vorfi
U lind më 9 tetor 1924. “Artiste e merituar”, filloi punë si aktore në Teatrin Kombëtar që me krijimin e tij në vitin 1945.
Drita Haxhiraj
U lind në Tiranë më 3 prill 1947. Aktore e TK-së, interpretoi edhe një sërë rolesh në kinematografi.
Pavlina Mani
U lind në Lushnjë më 13 nëntor 1948. Aktore e suksesshme ka realizuar shumë role të spikatur, duke filluar në 1966 në “Oshtimë në bregdet”, kur ishte ende studente. Është nderuar me disa çmime.
Antoneta Papapavli
U lind më 17 shkurt 1938 në Përmet. Ka qenë aktore në TK, si dhe ka interpretuar një sërë rolesh në kinematografi.
Vitore Nino
U lind në Shkodër në vitin 1924 dhe u nda nga jeta në vitin 2007. “Artiste e merituar”. Interpretoi një sërë rolesh në teatrin e Shkodrës, si dhe disa role në kinematografi ku spikat me rolin e hallës tek filmi “Çifti i lumtur”.
Eglantina Kume
U lind në Durrës më 21 janar 1950. Aktore dhe regjisore montazhi në ish-Kinostudion “Shqipëria e re”. Roli më i rëndësishëm i saj ishte ai i Mirës në “Ngadhënjim mbi vdekjen”.
Melpomeni Çobani
U lind më 5 qershor 1927 në Tiranë. Ka qenë aktore e njohur e Estradës së Tiranës, “Artiste e popullit”. Ka interpretuar disa role karakteresh në kinematografi.
Dhorkë Orgocka
U lind në Korçë më 25 tetor 1937. Ka qenë aktore e teatrit “Andon Zako Çajupi”. U nda nga jeta në vitin 2004. Ka interpretuar disa role në film.
Yllka Mujo
U lind në Tiranë më 15 tetor 1953. Roli i saj i parë ishte ai i Almës tek “I teti në bronz” dhe menjëherë më pas spikati në një seri rolesh.
Elida Janushi
U lind më 1 gusht 1953 në Devoll. Aktore e TK-së, në kinematografi interpretoi disa role të rëndësishme duke filluar nga filmi “Brazdat”.
Elida Cangonji
U lind në Tiranë më 31 tetor 1953. Me profesion mjeke u angazhua si aktore amatore në një sërë rolesh.
Liza Laska
U lind në Vlorë më 6 shkurt 1926. “Artiste e Merituar”, u angazhua si aktore e skenës që në vitet e para pas luftës në teatrin e Korçës dhe ka një kontribut të madh sidomos në teatrin “Petro Marko“ të Vlorës. Roli i parë në kinematografi ishte në filmin “Shtigje lufte”.
Violeta Dede
U lind në Shkodër në vitin 1953. Aktore e njohur e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, interpretoi mjaft role edhe në film.
Marta Burda
U lind në Korçë më 1926. Aktivitetin artistik e ka zhvilluar në teatrin e Durrësit, ku është nderuar me titullin “Artiste e merituar”. Në film ka interpretuar shumë role, kryesisht role nënash. U nda nga jeta në vitin 1995
Rajmonda Bulku
U lind më 16 gusht 1958 në Tiranë. Aktore e njohur e skenës dhe ekranit është nderuar me disa çmime.
Liri Lushi
U lind në vitin 1954 në Tiranë. Aktore e teatrit të Durrësit, në kinematografi interpretoi disa role, duke filluar në vitin 1976 me filmin “Thirrja”.
Anisa Markarian
U lind në Tiranë në vitin 1961. Me profesion mjeke, por aktore dhe skenariste e talentuar. Ka interpretuar në disa filma ku ka fituar dhe çmime kombëtare.
Marjeta Ljarja
U lind në Pogradec më 3 shtator 1955. E filloi karrierën në teatrin e Pogradecit. Më pas u transferua në TK, në Tiranë ku interpretoi shumë role në skenë e film dhe u nderua me mjaft çmime.
Elvira Diamanti
U lind në Vlorë më 30 nëntor 1962. Aktore e njohur e teatrit dhe kinemasë. Roli i saj më i spikatur mbetet ai i Marigosë në filmin “Përrallë nga e kaluara”.
Shpresa Bërdëllima
U lind në Tiranë më 11 prill 1959. U angazhua në teatrin e estradës së Tiranës dhe në kinematografi, duke filluar me rolin e zonjushës Gajtani tek “Vajzat me kordele të kuqe”.
Hajrie Rondo
Lindi në Fier më 1 mars 1951. E filloi dhe vijon karrierën si aktore profesioniste në teatrin e Fierit. U angazhua në kinematografi që në vitin 1980 me një rol në filmin“Vëllezër dhe shokë”.
Ermira Gjata
U lind në Elbasan më 1956. E filloi karrierën si aktore në teatrin “Skampa”. U angazhua në kinematografi që në vitin 1981 me filmin “Nusja” dhe më pas në role të tjerë.
Rabie Hyka
U lind në Tiranë më 9 korrik 1958. Aktore e estradës, interpretoi disa role në kinematografi.
Marjana Kondi
U lind në Tiranë më 21 shkurt 1961. Aktore e teatrit të estradës. Interpretoi disa role në kinema mes të cilëve një rol kryesor tek “Fejesa e Blertës”, si dhe disa role në telefilmat e TVSH.
Jetmira Dusha
U lind në Fier më 4 prill 1955. Aktore e TK-së, interpretoi disa role edhe në film.
Matilda Makoçi
U lind në Tiranë më 8 prill 1963. Interpretoi shumë role kryesore në kinematografi duke filluar që në vitin 1980 me “Në kufi të dy legjendave”. Ka marrë disa çmime, si p.sh. aktorja më e mirë në vitin 1986.
Eva Alikaj
U lind në Tiranë më 5 prill 1961. Aktore e TK-së dhe ekranit, pati një hyrje të vrullshme në kinematografi me rolin e saj të parë, atë të Verës në filmin “Njeriu i mirë”, ku mori dhe Kupën e Festivalit të Pestë të Filmit Shqiptar si aktorja më e mirë.
Luiza Xhuvani
U lind në Sarandë më 26 mars 1964. Aktore e skenës dhe ekranit, ka krijuar një sërë karakteresh dhe është vlerësuar me tre kupa e disa çmime të tjera.
Ema Ndoja
U lind në Shkodër më 27 mars 1968. Aktore e skenës dhe e ekranit.
Suela Konjari
U lind në Tiranë më 4 nëntor 1963. Aktore e skenës dhe ekranit.
Rozeta Feri
U lind në Vlorë më 29 mars 1961. Aktore e teatrit “Aleksandër Moisiu”, pas vitit 1994 u fokusua më shumë në menaxhimin e artit. Në film ka interpretuar disa role të dyta.
Pranvera Veizi
U lind në Berat më 13 maj 1965. Ka interpretuar disa role në estradën e Beratit e më pas të Tiranës. Në kinematografi është evidentuar me disa role karakteresh, duke filluar nga viti 1985.
Zamira Kita
U lind në Korçë më 2 prill 1963. Ka debutuar si aktore pranë teatrit të Korçës, ku punon dhe sot. Në kinematografi ka interpretuar disa role.
Ina Gjika
U lind në Tiranë. Ka interpretuar disa role në kinematografi duke filluar që nga viti 1985.
Ema Andrea
U lind më 1970. Aktore në teatër dhe pedagoge në AA ka disa interpretime në teatër dhe film.
Valentina Kita
U lind më 26 janar 1960 në Elbasan. Ka interpretuar shumë role në teatrin “Skampa”, por ka interpretuar dhe në filma që nga viti 1984.
Monika Lubonja
U lind më 13 prill 1968 në Tiranë. Aktore e TK-së, në film ka interpretuar katër role, duke filluar nga viti 1992.
Luljeta Bitri
Ka interpretuar disa role në kinema dhe teatër.
Ermela Teli
U lind në Durrës në vitin 1979. Aktore e TK-së që prej vitit 2003, në kinematografi ka interpretuar disa role duke filluar që në vitin 2001 me filmin“Tirana, viti 0”.
Eni Jani
Enrieta Jani u lind në Tiranë. Pas studimeve në AA ka interpretuar disa role në teatër, por edhe në film duke nisur nga telenovela “Njerëz dhe fate”.
Arta Dobroshi
U lind në Prishtinë. Aktore në Kosovë, ka interpretuar disa role në teatër. Në kinematografi ka marrë pjesë në disa filma, mes të cilëve tre role në filma shqiptarë. Së fundmi, shkëlqeu në filmin belg “Heshtja e Lornës”./Naishtedikur.info