Categories
Histori Personalitete Sport

Linja në stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, për Ismet Bellovën

Linja në stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, për Ismet Bellovën: – “ Mirëdita të nderuar dëgjues të Radio Tiranës ju flasim drejtëpërsëdrejti nga Stadiumi “Qemal Stafa”, ku luhet ndeshja e javës së 23-të e kategorisë së Parë midis Tiranës dhe Flamurtarit…Të dyja skuadrat zbresin në fushë me këto formacione… Është një ditë e bukur, dielli shkëlqen mbi tapetin e blertë, stadiumi është i mbushur plot sa nuk ke ku të hedhësh kokrrën e mollës…

Duke lexuar këto rreshta, çdokush që ka ndjekur emisionin sportiv radiofonik “Nga njëra ndeshje në tjetër” e kujton me emocion zërin karakteristik të ikonës së trasmetimit, Ismet Bellova.
Gazetarit Sportiv më të mirë të vitit i jepet çmimi “Ismet Bellova”. Ka shkruar disa libra, ka themeluar një fondacionin në ndihmë të personave më aftësi të kufizuara. Ai është i palodhur.

Tashmë 80 vjeç, Ismet Bellova nuk i ka dhënë ende fund karrierës së tij të gjatë. Zëri i tij i veçantë i ëmbël dhe mbesëlënës duhet futur dhe ruajtur si një vlerë në trashëgiminë shqiptare të mikrofonit sportiv… Për 4 milion shqiptarë zëri i tij është i barabartë me iso-polifoninë labe që tashmë është pjesë e UNESCO-s. E ka nisur karrierën në moshën 16 vjeç si komentator. Ka 64 vjet që trasmeton nga një ndeshje në tjetrën. Ka trasmetuar mbi gjashtë mijë ndeshje futbolli kombëtare dhe ndërkombëtare. Është tifoz gjerman, por kurrë nuk ka bërë tifo për ndonjë skuadër shqiptare, pasi ka qënë profesionist i vërtetë. E ka pasur rrogën shtatë mijë lekë në muaj, dhe ka banuar në një shtëpi të vogël. Në vitin e largët 1961 ka rrezikuar të burgoset se gjatë trasmetimit të një ndeshje në stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në finalene Kupës së Republikës 17 Nëntori-Lushnje ka thënë se “çfarë bie jashtë bie brenda” pasi kushtet e vështira të kabinës së trasmetimit gjatë një dite shiu e kishin mërzitur aq shumë sa e kishin detyruar të fliste hapur, në kohën që çdo gjë ishte e mbyllur.

Ai ka dhënë shumë intervista, por kurrë nuk i ka treguar të gjitha sekretet. Në një intervistë për revistën “JAVA”, profesori 80-vjeçar tregon disa nga sekretet e tij që nuk i ka përmendur kurrë më parë. Ai tregon sesi është përballur me ish-ministrin e Brendshëm, Kadri Hazbiu, dhe e ka kërcënuar duke i treguar prangat. Takimi me Enver Hoxhën në Kongresin e Rinisë në vitin 1959 dhe lëvdatat që ka marrë prej ish-diktatorit për talentin e tij.

Profesor si ndiheni kur pas pak ditësh do të festoni 80-vjetorin e lindjes?

Për mua është një emocion i veçantë festimi i një përvjetori pasi ndihem ende i fortë fizikisht për të jetuar edhe shumë vite të tjera mes miqsh dhe kolegësh, me të cilët kam ndarë shumë vite pune dhe miqësie. Nuk e kuptoj që pas pak ditësh do të festoj ditëlindjen e 80-të, por siç thotë populli “Vitet janë nën lëkurë”. Jam i lumtur kur shikoj që kam rreth vetes shumë nipër dhe mbesa, që më lumturojnë çdo ditë por mbi të gjitha kam respektin e çdo shqiptari që më respekton në rrugë. Tashmë radio nuk ka atë rëndësinë e dikurshme që i mbante të lidhur njerëzit pas zërit por tashmë është televizioni që e ka spostuar disi këtë medium magjik do ta quaja, që ka qënë shumë i dashur për çdo person që e ka pasur një të ti­llë në shtëpi.

E mbani mend ndeshjen tuaj të parë që këni trasmetuar në radio?

Patjetër! Ndeshja e parë që kam trasmetuar ka qënë më 29 nëntor 1950, ishtë ndeshja Partizani-Dinamo. Ishte një ndeshje kampionati dhe i madhi Anton Mazreku më dha mundësinë që të provoja emocionin e trasmetimit për disa minuta. Natyrisht është një ditë që nuk do shlyhet nga kujtesa ime. Si çdo fëmijë që e dashuron sportin shumë herët, unë jam lidhur ngushtë me disa disiplina sportive që në moshën 10-vjeç, që prej asaj dite e deri sot vazhdon që sporti të jetë i pandashëm për mua. Anton Mazreku ishte i pari që trasmetoi një ndeshje në radio shumë vite më herët dhe njihet si themeluesi i trasmetimit radiofonik. Në fillimtransmetoheshin vetëm ndeshjet që luheshin në kryeqytet ndërsa për ndeshjet e tjera që luheshin ne rrethe, transmetohej vetëm rezultati nga post-telegrafi, ku me anë të autoparlantit dëgjonin shumë njerëz ndeshjet edhe rezultatet.

Kush ka qënë “sebepi” që ju u bëtë pjesë e trasmetimit në radio?

Në vitet 50’ unë kam qënë në shkollën e fizkulturës dhe Anton Mazreku ishte mësues dhe jepte lëndën e gjeografisë njëkohësisht ishte pjesë e Radio Tiranës. Në atë kohë unë improvizoja me shokët komente dhe trasmetime ndeshjesh që shumë shokë më thoshin se ke talent. Anton Mazreku më mbate afër me atë zemërgjerësinë që e karakterizonte. Ai kishte një vajzë që sot është një mjeke e shquar dhe i madhi Mazreku thoshte gjithmonë që kam një vajzë dhe një djalë nga dashuria e tepërt që kishte për mua. Ai na merrte te dyve në kabinën e trasmetimit por ajo ishte vajzë dhe nuk kishte shumë interes dhe kështu unë vazhdova që t’i qëndroja pranë derisa ai ndërroi jetë në një moshë të re. Që të bëheshe pjesë zyrtare e Radio Tiranës në atë kohë duhej të kaloje në disa filtra, por dashamirësia që kishin për Mazrekun, nuk e penguan që të më kishte mua pranë atëherë në një moshë ende të vogël, vetëm 16 vjeç.

Nga viti 1950 deri në vitin 1983, ju keni transmetuar pesë mijë ndeshje në radio, një shifër e frikshme dhe e pabesueshme por e vërtetë?

Plot pesë mijë ndeshje të transmetuara dhe për 90’ minuta për çdo ndeshje. Ka qënë disi e lodhshme por duke e kombinuar mikrofonin me profesor Mazrekun ia kemi arritur që ta përballojmë me sukses. Padyshim ka qënë edhe një dëshirë e madhe dhe pasion i zjarrtë që na mbante të gjallë dëshirën për këtë profesion të bukur. Gjithashku futbolli në atë kohë ka qënë në nivele të larta dhe stadiumet kanë qënë gjithmonë të mbushura. Spordashësit e asaj kohë mezi e prisnin fundjavën për të parë ekipet etyre të zemrës, edhe ne po ashtu e prisnim me padurim trasmetimin, pasi ishte kënaqësia jonë e fundjavës që përci­llej tek një masë e gjerë e dëgjuesve.

Si e kujtoni incidentin që ju ka rrezikuar edhe dënimin me burg?

Në vitin 1961 gjatë transmetimit të ndeshjes 17 Nëntori(Tirana)-Lushnje, ku Tirana fitoi 7-1, ndeshja u luajt në kushte të vështira atmosferike, pasi gjatë gjithë ndeshjes binte një shi i rrëmbyeshëm që rëndoi shumë terrenin e fushës dhe ndeshja e futbollit u kthye në një ndeshje vaterpolo. Të gjithë këtë situatë profesor Mazreku e pasqyroi në transmetim, njëkohësisht edhe në kabinën tonë të transmetimit binte shumë shi. Unë duke qënë një djalë i ri në moshë 27 vjeç nga ngarkesa emocionale ndërhyra duke thënë se e njëjta situatë që është në fushë është edhe kabinën tonë, ku po transmetojmë në kushte të vështira dhe çfarë bie jashtë bie edhe brenda. Në të njëjtën kohë po zhvillohej edhe mbedhja e byrosë politike që dhe midis anëtarëve të byrosë kishte edhe nga ata që ishin sportdashës. Pasi e kishin ndjekur ndeshjen në radio, direkt vjen e më takon në sheshin përpara stadiumit, ish-ministri i brendshëm , Kadri Hazbiu. Ai më një ton kërcënues më thotë se kjo që kisha bërë ishte e rëndë dhe fjalët e thëna gjatë transmetimit kishin mërzitur shumë shokun Enver. Ai më kërcënoi duke nxjerrë prangat dhe më tha se meritoja të shkoja në burgun e Spaçit. Njeriu që më shpëtoi nga ky episod që mund të ishte fatal për mua ka ka qënë profesori i ndëruar, Hamit Beqja. Ai bëri çdo gjë që kjo histori të mbyllej me sa më pak problem për mua dhe u mbyll pa ndonjë dënim serioz por vetëm më një tërheqje vërejtje dhe mos- përsëritje të gabimit.

Si ka ndodhur takimi juaj me Enver Hoxhën?

Me Enver Hoxhën jam takuar në Kongresin e Rinisë që zhvillohej të atë kohë në Teatrin e Operas dhe Baletit. Gjatë pushimit disa minitësh ai më kërkoi që ta takoja. E takova pesë minuta në këmbë dhe biseduam shumë pak. Më vlerësoi për talentin që kisha dhe më tha se duhet të tregohesha më i kujdesshëm me emocionet gjatë transmetimit në radio.

Cila ka qënë ndeshja që ju ka emocionuar gjatë transmetimit?

Ka shumë të tilla. Njëra që nuk mund ta harroj kurrë është ndeshja e ekipit tonë Përfaqësues me Gjermaninë në Hanovër, më 11 tetor 1997, në kuadrin e eliminatoreve të Kupës së Botës. Ka qenë dramë e vërtetë, plot ankth dhe emocione, sidomos, në fundin e saj. Deri në minutën e 91-të rezultati ka qenë i mbërthyer në 3-3. Pas një minute gjermanët shënuan me anë të Birhofit dhe na rrëmbyen fitoren, 4-3. Në Shqipëri, në ato çaste, ishin fikur dritat dhe njerëzit kanë gëzuar para kohe rezultatin e barabartë. Më vonë, unë kam dhënë një kronikë të zgjeruar dhe u mësua rezultati i vërtëtë.

Si ju duket brezi i ri i komentatorëve në radio dhe Tv?

Këta djem të rinj kanë sjellë një lloj transmetimi që nuk përshtatet me traditën tonë të transmetimit. Janë shumë emotivë, tregohen shumë tifoz. Këta sot janë duke kopjuar shumë shëmtuar komentatorët italianë. Dëgjoj ulërima dhe të bërtitura të panevojshme. Janë duke edukuar shumë keq shikuesin dhe dëgjuesin që kërkon më shumë respekt. Unë ndeshjet e rëndësishme i shikoj në komentin e gjuhës angleze ose italiane.

Ju njiheni si Profesori që afroi shumë gazetar sportivë që janë të njohur për publikun sot. Cilët janë disa nga këta emra?

Në vitin 1967 pas fillimit të transmetimit të televizonit me disa orë program ne kishim nevojë për gazetarë të rinj dhe në atë kohë janë afruar Vladimir Grillo dhe Ahmet Shqarri. Kurse pas viteve 90’, kam afruar Dritan Shakohoxhën dhe Dëfrim Met’hasanin.

Cilat janë batuta tuaja më të famshme që janë të njohura edhe për publikun?

“Stadiumi është mbushur plot e përplot, sa nuk ke ku të hedhësh kokrrën e mollës”, “ Pranverë e vërtetë, e inkuadruar në zemër të dimrit“, “ … Panoramë ombrellash“/Na Ishte Dikur

error: Content is protected !!