Categories
Art Histori Kulture Personalitete

Tedi, vëllai i violinës, djali që magjepsi botën…

Djaloshi shkodran, që shkoi 11 vjeç në Francë, mori mbi supe violinën e gjeneralit të Napoleonit, u bë një nga artistët më të arrirë të kohës sonë, kënaqi miliona, e pushtoi botën me bukurinë absolute të tingujve të saj. Kjo ndodhi sepse babai i tij, ishte gjithashtu ati i violinës shqiptare.

Stradivarius është një nga violinat të ndërtuara nga anëtarët e familjes italiane Stradivari, veçanërisht Antonio Stradivari, gjatë shekujve 17 dhe 18. Thuhet se cilësia e tingullit të tyre ka sfiduar përpjekjet për të gjetur një të barabartë me të.

Emri “Stradivarius” është bërë një superlativ shpesh i lidhur me përsosmërinë; Që të quhesh “Stradivari” i një fushe, duhet të konsiderohesh më i miri. Fama e instrumenteve Stradivarius është shumë e përhapur, e shfaqur në vepra të shumta të fiksionit.

Një Stradivarius i bërë në vitet 1680, ose gjatë periudhës “Long Pattern” të Stradivarit nga 1690-1700, mund të jetë me vlerë qindra mijëra deri në disa milionë dollarë amerikanë me çmimet e sotme. Stradivariusi “Molitor” i 1697-s, thuhej se i përkiste Napoleonit (në fakt ajo i përkiste një gjenerali në ushtrinë e tij, Count Gabriel Jean Joseph Molitor), iu shit në 2010 në Tarisio Auctions violinistes Anne Akiko Meyers për 3.600.000 $ (3,6 milionë dollarë amerikanë).

Një ndër të gjallët e privilegjuar për ta mbajtur atë në sup është edhe Tedi Papavrami, i biri i profesorit, Robert Papavrami, ose atij që konsiderohet ati i violinës shqiptare.

Nëse Stradivarët përdorën mjeshtërinë dhe artin e tyre që ta sillnin në jetë në formën e saj më të përkryer, atëherë Papavramët i dhanë violinës jetën e përsosur për të cilën ajo u krijua që të kishte.

Kur në moshen 11 vjeçare Tedi Papavrami shkon në Francë, ai zbulon një vend dhe një kulturë që ishin krejtësisht të huaja për të. Natyra e tij kureshtare, nevoja e përvetësimit të gjuhës frënge për t’i dhënë vetes një atdhe të ri, si dhe vetmia e madhe në të cilen gjëndet fillimisht, e shtyjnë të lexojë autorë të ndryshëm, gjithmonë në frëngjisht: Stendhal, Proust, Flaubert, Dostoïevski, Tchekhov, Kafka… Është pikërisht kjo kureshtje, që e bën midis të tjerash të veçantë këtë interpretues në botën muzikore.

Krahas kërkesave të tij intelektuale dhe artistike, ajo i lejon atij kapërcimin e kufinjve midis profesionit të tij kryesor, dhe horizonteve të tjera. Kështu, në mënyrë krejt të natyrshme, në vitin 2000, – pas ndarjes nga jeta të përkthyesit shqiptar Jusuf Vrioni – Tedi Papavrami merr në dorë vazhdimësinë e përkthimit frëngjisht të veprës së Ismail Kadaresë, të cilin e kishte njohur dikur në Shqipëri.

Ky kalim në botën letrare ëshë gjithashtu për të një mjet «për të gjëlluar profesionalisht, për herë të parë, jashtë fushës së violinës».…

Jemi në vitet 80. Shqipëria është një vend i vetëshkëputur nga bota. Një fat i pazakontë krijohet me rastin e udhëtimit atje të flautistit francez Alain Marion, për një koncert. Ai pikas virtuozin e vogël dhe e bën të ftohet, me bursë të qeverisë franceze për studime në Paris, ku ai hyn si nxënës i violinistit Pierre Amoyal në Konservatorin e Lartë Kombëtar.

Gjatë kësaj kohe, Tedi merr pjesë në emisione televizive të njohura si «Grand Echiquier» dhe në koncerte të ndryshme.

Pasi mbaron studimet në moshën 15-vjeçare, Tedi ndjek vetë zhvillimin dhe përsosjen e tij muzikore e instrumentale. Pak më parë, bashkë me prindërit, ai ndahet nga regjimi komunist i Shqipërisë dhe vendoset në Francë.

Për pasojë, masa ndësh kimore të dh un shme ushtrohen mbi gjithë familiarët e tjerë, që jetojnë në Shqipëri, deri në rënien e regjimit komunist më 1991. Ndërkohë, Tedi dhe prindërit e tij largohen nga Parisi për të mos rënë në dorë të nëpunësve të Ambasadës së Shqipërisë, që i kërkojnë, dhe vendosen në rrethinat e Bordosë, falë ndihmës së miqëve të tyre të afërt që banojnë në këtë qytet.

I shtyrë dhe nga fitimi i disa konkurseve ndërkombëtare, Tedi ushtron nga kjo moshë, si solist dhe në muzikë dhome, një karierë koncertisti që rritet vazhdimisht gjatë viteve që ndjekin.

Më 2003, në kuadrin e një emisioni televiziv, ai tërheq vëmendjen e aktores Jeanne Moreau dhe, me mbështetjen e saj angazhohet si aktor për rolin e violinistit Danceny, përkrah artistëve Catherine Deneuve, Ruppert Everett, Nastassja Kinski etj. në një përshtatje kinematografike të librit “Lidhjet e rrezikshme”, të realizuar nga Josée Dayan.

Tashmë prej disa vitesh, ai jeton në Gjenevë, në Zvicër, ku, që nga viti 2008, jep mësim si profesor violine në Konservatorin e Lartë të këtij qyteti.

Ai i përgjigjej kështu, në një intervistë të marrë më 2010, një pyetje mbi zhvillimin e karrierës së tij:

Në fakt, ajo që nganjëherë më ka hidhëruar, e kam fjalën për indiferencën relative të botës muzikore për fëmijën mrekulli që nuk isha më, lidhur kjo mbase dhe me banimin në Francë, një vend që rrallëherë ka qenë në muzikë klasike trampolinë e karrierave të mëdha ndërkombëtare, kanë qenë shpëtimtare për zhvillimin tim teknik e muzikor.

Falë saj, pata kohën dhe vetminë e nevojshme për të bërë e ribërë disa herë të gjithë rrugëtimin teknik të shkallëshkallshëm të instrumentit tim, duke ia përshtatur atë aspiratave të mia muzikore dhe personalitetit tim në sajë të disa metamorfozave të thella, që kam mundur t’i ndërtoj në etapa të ndryshme, të shtrira secila mbi 5-10 vjet.

Kështu, gjatë jetës sime, m’u dha të përjetoj në mënyrë paradoksale, nganjëherë njëkohësisht, një zhvillim shumë të parakohshëm krahas një pjekurimi vërtetë të ngadaltë, që më lejuan të ndërgjegjësohem për atë që vetëm koha të lejon të përmbushësh.

Në 2014-n Kryeministri i vendit, duke bërë një anashkalim protokolli, siç e pohon ai vetë, për t’i dhënë profesorit Robert Papavrami dekoratën, shprehet:

Simbioza e tyre është unikale, siç është unikale për Shqipërinë aventura e tyre, që nisi me një palë pantallona të shkurtra, dimër-verë dhe me një motoçikletë me kosh, që atëherë ne, në Lice Artistik ku e shikonin, e konsideronim motorin që sillte në shkollë, xhandarin e Tedit. Se këta miqtë folën vetëm për këto anët e mëdha pedagogjike, por është kjo ana tjetër që është një histori e madhe.

[…]

Sepse sot, ne i gëzohemi pranisë së Bert Papavramit si një mundësi për të nderuar jo thjesht babin e Tedit, por pedagogun krejt të veçantë të shumë talenteve shqiptare të violinë, si njeriu që vendosi një gur të rëndë themeli për shkollën shqiptare të violinës.

[…]

Sidoqoftë, sot nuk kremtojmë thjesht gëzimin e pasjes mes nesh të babait të Tedit, pa pedagogjinë e veçantë të të cilit, zor se do të kishim pasur Papavramin e Tretë. Se për kë nuk e njeh këtë dinasti kokëfortësh, Berti është Papavrami i Dytë, – i Pari ishte i famshmi doktor Papavrami, – të cilit hija e pasardhësve i ka hyrë padrejtësisht, në hisen e vet të lavdisë.

error: Content is protected !!